Neymar: Kush je ti të më flasësh ashtu?


Sulmuesi i Paris Saint-Germain, Neymar, është i zemëruar me një numër bashkëlojtarësh të vet dhe veçanërisht gjermanin Julian Draxler dhe francezin Presnel Kimpembe, sipas gazetës franceze Le Parisien.


Akuzat e Neymarit ndaj futbollistëve të rinj të PSG-së se ata nuk po mësojnë nga bashkëlojtarët e tyre më me përvojë, nuk është pranuar aspak mirë brenda skuadrës së PSG-së.

Komentet e bëra nga braziliani pas humbjes së PSG-së ndaj Rennes në finale të Kupës së Francës thuhet t’iu ishin drejtuar Alphonse Areola dhe Presnel Kimpembe, të cilët, sipas Neymarit, e kanë ndryshuar sjelljen pasi e kishin fituar Kupën e Botës 2018 me Francën.

Pas ndeshjes së PSG-së në udhëtim ndaj Montpellier, Draxler e kritikoi brazilianin për paraqitjen e tij dhe i kërkoi të gjejë zgjidhje të tjera dhe jo të tentojë të bëjë gjithçka vetë.

Kjo s’i ka pëlqyer Neymarit, i cili ia ka reaguar gjermanit: “Kush je ti të më flasësh mua kështu? Ti di të bësh vetëm pasime prapa”.