Last

Bale ia thotë troç Real Madridit, merr vendimin për të ardhmen


Gareth Bale është bërë i fortë. Ai dëshiron të vazhdojë te Real Madridi edhe sezonin e ardhshëm, qoftë edhe duke ngrohur stolin. Kështu bën me dije sot gazeta “AS”. Edhe pse Zidane ia ka bërë shumë të qartë, se nuk është në planet e tij, uellsiani nuk do të largohet.


Madje, këtë gjë e ka bërë të ditur për klubin, personalisht. Në takimet e para ishte Jonathan Barnett, agjenti i tij, që e konfirmoi vendimin në klub.

Megjithatë, para se të nisej me pushime, vetë futbollisti kërkoi një takim me drejtuesit e të bardhëve, ku përcolli qëndrimin e tij. Gareth jo vetëm u tha atyre se donte të vazhdonte në Madrid, por qëllimi i tij ishte të mos dëgjonte asnjë ofertë tjetër. Pra, mendja e tij punon vetëm për “Bernabeu”. Në Madrid kanë mbetur shumë të befasuar nga vendimi përfundimtar i Bale, duke e ditur se çfarë e pret me trajnerin Zidane.

Për pasojë, drejtuesit kanë filluar ta llogarisin pjesë të skuadrës së bardhë sezonin e ardhshëm. Largimi i tij ishte i komplikuar, pasi ekipi që ta kërkonte duhej të përballej me një pagesë të madhe, si në çmimin e transferimit, ashtu edhe të pagës së uellsianit. Por, me futbollistin e vendosur në pozicionin e tij, largimi bëhet një mision gati i pamundur. Sot për sot është më afër qëndrimit te “Los Blancos”, se sa të largohet.