Last

Conte: Interin do ta kthej në vendin që i takon!


Antonio Conte mezi po pret të nisë punën me Interin, pas një viti pushim si trajner.

Ai do të ulet në stolin zikaltër, duke shpresuar te një eksperiencë tjetër emocionuese në Serie A, pas asaj me bardhezinjtë e Torinos. Media italiane ka zbuluar disa deklarata të ish-trajnerit të Juves dhe Italisë, bërë përmes një interviste në “GQ”, që do të publikohet ditët në vijim:


“Unë mezi po pres të punoj, sepse kjo është një nevojë, që lidhet me ADN-në time. E di se krijoj pritshmëri të larta, nisur nga rezultatet e arritura deri më sot. Nuk dua të flas para kohe, as të bëj premtime, por të nis nga puna sa më parë. Falë përpjekjeve të pakursyera të të gjithëve, nuk mendoj se do të kemi kufij për Interin tim”.

Ish-trajneri i Chelsea praktikisht shpjegon gjithë karakterin dhe personalitetin e tij me disa fjali, në fillim të intervistës. Për këtë arsye, shumë tifozë të Interit shpresojnë se ky mund të jetë një sezon fitues, pas tetë vitesh pa tituj.

“Prania e Marotta më ndihmoi të vija këtu, sepse ishte konfirmimi i qëllimeve shumë serioze të Interit. Këtu, për 8 sezone nuk është luftuar për vendin e parë, ndaj drejtuesit duan t’i ndryshojnë gjërat. Unë u befasova nga vendosmëria e Zhang për ta rikthyer Interin në majë. Edhe unë, mezi po pres të fillojmë nga puna dhe ta kthejmë Interin aty ku i takon. Pritet shumë nga ne dhe do të bëjmë më të mirën”.

Shkurtimisht, Antonio Conte është zhytur tashmë në realitetin zikaltër. Megjithatë, ndoshta do të ketë kundërshti për të, si nga tifozët e tij të vjetër te Juventusi, edhe nga disa mbështetës të Interit, ende skeptikë…