Duket një “martesë” e pashmangshme ajo mes Juventusit dhe Maruzio Sarrit. Pavarësisht se ky i fundit është nën kontratë me Chelsea, dëshira për t’u kthyer në Itali mbizotëron mbi gjithçka tjetër. Aq më tepër që bëhet fjalë për një sfidë të madhe, sikurse është drejtimi i Juventusit.


Drejtuesit bardhezinj shohin tek ish-trajneri i Napolit njeriun e duhur për futboll të bukur dhe sulmues, prej nga mund të përmbushet edhe objektivi madhor: fitimi i Ligës së Kampionëve.

Në mungesë të këtyre të fundit u bë “kurban” Allegri, edhe pse fitoi pesë tituj radhazi në Serie A dhe katër Kupa të Italisë. Kuptohet, grupi për trofe të tillë ekziston në Torino, por Sarri do të kërkonte të bënte “meremetimet” e veta. “Gazzetta dello Sport” ka përftuar top-formacionin e Juventusit, me Sarrin në drejtim, ku përfshihet edhe një përforcim si Chiesa, që aktualisht është pjesë e Fiorentinës.

Po ashtu, llogaritet edhe Higuain (në pronësi të kampionëve të Italisë, i huazuar te Chelsea nga janari, pasi e kaloi gjysmën e këtij sezoni te Milani) si alternativë e kroatit Mandzukic, në majën e sulmit, në një formacion 4-3-3. Bien në sy tri "balotazhe" në prognozën që bën prestigjiozja sportive italiane për 11-shen, me të cilën pritet të luajë "Zonja e Vjetër" me trajnerin e ri.

Në portë llogaritet Szczesny. Para tij mbrojtja me katër: Cancelo, Bonucci, Chiellini, Alex Sandro, nga e djathta në të majtë. Mesfusha me tre përbëhet nga Ramsey (ose Emre Can) në të djathtë, Pjanic në “kullën e regjisë” dhe Matuidi në të majtë.


Reparti i përmarmë shikon Mandzukic (ose Higuain) në majë, ndërsa nga krahët Chiesa (ose Dybala), në të djathtë dhe Cristiano Ronaldo në të majtë.


Previous Next