Ngritje interesante e Kosovës në ranglistën e FIFA-s - News48

Header Ads

Ngritje interesante e Kosovës në ranglistën e FIFA-s


Kosova është ngritur për gjashtë pozita, nga vendi i 127-të në atë të 121-të, në ranglistën e FIFA-s, e cila u përditësua sot, pas rezultateve të ndeshjeve të qershorit. Kjo është pozita më e lartë në të cilën është renditur ndonjëherë Kosova.


Nga dy ndeshjet e zhvilluara gjatë muajit qershor, kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë, Kosova i fitoi 25 pikë, duke bërë kështu që “Dardanët” ta vazhdojnë ecurinë e ngritjes në ranglistën e FIFA-s që nga fillimi i vitit 2018.

Barazimi me Malin e Zi në Podgoricë dhe triumfi kundër Bullgarisë në Sofje bëjnë që Kosova të jetë ngritur edhe më lartë në listën e FIFA-s. Kosova fiton pikë edhe nga barazimi me malaziasit për shkak se ata shumë më mirë sesa “Dardanët” në këtë listë të FIFA-s.

Gjatë muajit qershor, Kosova i zhvilloi dy ndeshje në kuadër të Grupit A të kualifikimeve të Kampionatin Evropian 2020. Fillimisht, skuadra e Bernard Challandes barazoi me rezultat 1:1 në Podgoricë kundër Malit të Zi, që renditej në pozitën e 51-të.

Dy pikët e humbura në Podgoricë, Kosova i kompensoi me tre pikë të fituara në Sofje, kur në mënyrë dramatike, në fund të ndeshjes, siguroi fitore me rezultat 3:2 kundër Bullgarisë, që e ndante pozitën e 51-të me Malin e Zi.

Kosova u anëtarësua në FIFA para tre vjetëve dhe gjatë kësaj kohe ka arritur të ngrihet nga pozita e 190-të në atë të 127-të. Rritjen më të madhe e pati në prill të vitit 2018, kur u ngrit në tabelë për 24 pozita.


Që nga atëherë, Kosova gjithmonë është ngritur në këtë tabelë.

Hera e fundit që ka rënë në këtë ranglistë ishte në muajin janar të vitit 2018, kur ra për një pozitë më poshtë, ndërsa rënien më të thellë që nga viti 2016 e kishte në prill të 2017-ës, kur ra për gjashtë pozita.

Ranglista e radhës e FIFA-s do të publikohet më 25 korrik, mirëpo gjatë kësaj kohe Kosova nuk mund të fitojë pikë pasi që nuk do ta zhvillojë asnjë ndeshje deri në shtator.


Powered by Blogger.