Partizani i Tiranës ka qenë i pafat në shortin e turit të parë kualifikues në Champions League, sepse do të përballet me Qarabag FK, dominues absolut në Azerbajxhan. Ish-klubi i Ansi Agollit jo vetëm që fiton prej vitesh titullin kampion në vendin e vet,


por ka shkëlqyer edhe në kupat e Europës.

Qarabag ka fituar çdo titull në Azerbajxhan prej vitit 2013 dhe prej vitit 2008 drejtohet nga Gurban Gurbanov, i cili prej vitit 2017 drejton edhe kombëtaren e Azerbajxhanit.

Qarabag ka luajtur 30 ndeshje në Champions League, me 11 fitore, 11 barazime e 8 humbje. Në renditjen e UEFA-s Qarabag është në vendin e 65-të, me keoficient 19.000, duke lënë pas edhe emra si Galatasaray.

Në dekadën e fundit rritja e Qarabag ka qenë e jashtëzakonshme, duke ecur gjithnjë e më larg nga viti në vit, derisa në 2014/15 u realizua ëndrra e parë, pjesëmarrja në grupet e Europa League.

Edhe në dy sezonet pasues Qarabag mori pjesë në grupet e Europa League, ndërsa në sezonin 2017-18 Qarabag rishkroi historinë, duke marrë pjesë në grupet e Champions League.

Legjenda e Qarabag është qendërmbrojtësi Rashad Sadygov, 37 vjeç dhe ende ndër lojtarët më të rëndësishëm në ekip, ashtu si mbrojtësi i djathtë Maksim Medvedev, 29 vjeç dhe 285 ndeshje me Qarabag.

Po ashtu, qendërmbrojtësi Badavi Huseynov ka luajtur 152 ndeshje me Qarabag, ndërkohë që spanjollët Michel dhe Dani Quintana janë kthyer në yje të klubit, pasi luajnë prej vitesh dhe janë shumë të rëndësishëm për Qarabag.


Këtë sezon ka mahnitur sulmuesi 21-vjeçar Mahir Emreli (Madatov), autor i 16 golave në 27 ndeshje kampionati, por ka shkëlqyer edhe mesfushori kroat Filip Ozobic, i marrë nga Gabala në fillim të sezonit të sapombyllur.

Previous Next