Real Madrid befason me ofertën për Neymar


Real Madridi nuk është dorëzuar në garën kundër Barcelonës për sigurimin e shërbimeve të Neymarit për sezonin e ardhshëm. Klubi madrilen ia ka ofruar Paris Saint-Germainit 130 milionë euro plus James Rodriguezin ose Gareth Bale për brazilianin.


“Los Blancos” po tentojnë ta bindin edhe Neymarin t’i bashkohet skuadrës së tyre përmes një page prej 30 milionë eurove për sezon, mirëpo futbollisti e ka prioritet kthimin në Barcelonë, shkruan Mundo Deportivo.

Barcelona është e vetëdijshme se, përkundër që është favorite, do ta ketë të vështirë ta transferojë Neymarin gjatë këtij afati kalimtar të verës. Përveç që PSG-ja po i kërkon 300 milionë euro për brazilianin, tani në garë është futur edhe Real Madridi.

Presidenti i “Los Blancos”, Florentino Perez, gjithmonë ka qenë një tifoz i madh i yllit brazilian, të cilin kishte tentuar ta transferonte qysh në vitin 2013, kur Barcelona e kishte rr*ëmbyer atë në momentin e fundit.

Ai dështim për ta sjellë në skuadër brazilianin para gjashtë vjetëve ka lënë gjurmë të thella te Perezi. Tani, ai e ka mundësinë për ta kthyer në realitet këtë ëndërr të tij, pasi që PSG-ja është shprehur e gatshme ta shesë Neymarin.

Gazeta e madhe spanjolle, Mundo Deportivo, raporton se Real Madridi i ka bërë ofertë zyrtarisht PSG-së. PSG-së i janë ofruar 130 milionë dhe njëri nga James Rodriguezi dhe Gareth Bale në shkëmbim të Neymarit.

As Bale e as Rodriguez nuk është pjesë e planeve të trajnerit Zinedine Zidanit për sezonin e ardhshëm.


Rodriguez i kishte kaluar dy sezonet e fundit i huazuar në Bayern Munich, mirëpo klubi gjerman ka vendosur të mos e blejë atë.